Seancë debati midis gjimnazeve të Tiranës "Petro Nini Luarasi" dhe "Qemal Stafa"

Gjykata e Lartë, priti të enjten e datës 20 prill, “Klubet e Debatit” të dy gjimnazeve të Tiranës, “Petro Nini Luarasi” dhe “Qemal Stafa”.

Në sallën e Kolegjeve të Bashkuara, në prani të gjyqtarëve dhe stafit të Gjykatës së Lartë, anëtarët e grupeve të debatit, prezantuan ide dhe mendime mbi sistemin gjyqësor në Shqipëri, sipas perceptimit të tyre, si edhe zhvilluan një seancë me pyetje e përgjigje me gjyqtarët e pranishëm në sallë. Në përfundim të aktivitetit, u shpërndanë certifikata mirënjohjeje për angazhimin dhe kontributin e tyre në këtë aktivitet.

Gjatë muajve mars dhe prill në ambientet e Gjykatës së Lartë u organizuan disa aktivitete të tilla, në kuadër të afrimit të gjykatës me publikun si mënyra më e mirë për të përkujtuar 110 vjetorin e krijimit të Gjykatës së Lartë. Kjo eksperiencë rezultoi e dobishme dhe argëtuese për nxënësit, për të kuptuar mendimet dhe zgjidhjet alternative të tyre mbi mënyren sesi bëhet drejtësi, dhe po kaq e dobishme edhe për ata maturantë që aspirojnë të studiojnë në fushën e së drejtës.

Gjykata e Lartë është e hapur dhe në dispozicion të arsimit parauniversitar në Shqipëri, për ta vijuar këtë eksperiencë në çdo kohë.